Mbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araújo, ka rrëfyer një nga periudhat më të vështira të jetës së tij personale dhe profesionale.
Pas një kohe të errët të shoqëruar me probleme të shëndetit mendor, ai tregoi për “Mundo Deportivo” një episod që e tronditi thellë familjen e tij.
Sipas Araujos, gjithçka nisi pas një momenti të zakonshëm në shtëpi. Teksa po qëndronte me bashkëshorten, ajo po shikonte telefonin dhe papritur shpërtheu në lot.
“Po pinim diçka bashkë. Pashë si iu ndryshua fytyra ndërsa lexonte mesazhet. E pyeta çfarë kishte ndodhur. Nuk e kuptoj si mund të ketë aq ligësi. Uroj që njerëzit ta kuptojnë se çfarë dëmtojnë me ato fjalë,” u shpreh ai.
Futbollisti zbuloi se mesazhet e ashpra nuk ishin drejtuar vetëm ndaj tij, por prekën edhe familjen, madje edhe fëmijët.
Presioni i vazhdueshëm në rrjetet sociale ndikoi ndjeshëm në gjendjen e tij emocionale. Ankthi, sipas tij, u shndërrua në një periudhë depresive që ndikoi drejtpërdrejt në performancën në stërvitje dhe ndeshje.
Ai pranoi se për herë të parë e kuptoi se kishte nevojë për ndihmë profesionale.
“Mbështetja e gruas dhe familjes ishte vendimtare. Ajo më tha: çfarëdo që të bësh, ne do të jemi me ty,” rrëfeu mbrojtësi uruguaian.
Në fund, Araujo theksoi se, pavarësisht famës dhe suksesit, sportistët mbeten njerëz me ndjenja.
“Edhe ne jemi njerëz. Nuk ka të bëjë vetëm me futbollin, paratë apo famën. Vuajmë si çdo njeri tjetër,” përfundoi ai. Infoline News







