Këngëtari Labinot Rexha duket se po vazhdon përplasjet publike edhe pas largimit nga shtëpia e Big Brother VIP Kosova.
Së fundmi ai ka reaguar në rrjetet sociale me akuza të ashpra ndaj disa banorëve, ish-banorëve dhe produksionit të spektaklit. Në reagimin e tij, këngëtari përfshiu edhe opinionistet e këtij edicioni, mes tyre aktoren Olta Gixhari dhe këngëtaren Leonora Jakupi.
Situata mori më shumë vëmendje pasi Rexha publikoi një status ku kritikonte qasjen e Leonora Jakupit ndaj banorëve të formatit. Në postim ai përdori një formë të ndryshuar të mbiemrit të saj, e interpretuar nga ndjekësit si fyerje, duke shkaktuar reagime të menjëhershme në rrjet.
Pas komenteve të shumta negative dhe presionit publik, këngëtari e fshiu postimin brenda një kohe të shkurtër. Megjithatë, deklarata ishte shpërndarë tashmë gjerësisht, duke hapur debat mes fansave të spektaklit dhe publikut online.
Deri tani nuk ka pasur një reagim publik nga Leonora Jakupi lidhur me situatën, ndërsa mbetet për t’u parë nëse përplasja do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.








