Një bashkëpunim i ri në skenën muzikore bullgare ka nxitur debat në rrjetet sociale shqiptare.
Artistët e njohur bullgarë Azis dhe Tsvetelina Yaneva kanë publikuar projektin “Havte”, një këngë me ritme tipike ballkanike dhe videoklip të realizuar në ambient aeroporti.
Megjithatë, ajo që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar është ngjashmëria e dukshme melodike me hitin e njohur “Valle Kosovare”, këngë që identifikohet me artistin e ndjerë Shpat Kasapi.
Sipas shumë dëgjuesve, linja muzikore e “Havte” tingëllon pothuajse identike me melodinë e njohur shqiptare, e cila së fundmi kishte përjetuar një rikthim të fuqishëm në platformat sociale, veçanërisht në TikTok, duke u bërë virale në miliona video në mbarë botën.
Kjo ngjashmëri ka ngritur pikëpyetje, sidomos pasi në kreditet zyrtare të këngës bullgare – të prodhuar nga Costi – nuk figuron asnjë referencë për autorët e “Valle Kosovare” apo për vetë Shpat Kasapin.
Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të menjëhershme, me shumë përdorues që kërkojnë sqarime dhe respektim të autorësisë.
Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga pala bullgare lidhur me akuzat për ngjashmëri melodike.







