Ballkani Perëndimor po përballet me një thatësirë të rëndë pasi një valë të nxehti goditi rajonin, duke penguar jetën e përditshme dhe duke shkaktuar probleme në bujqësi dhe energji, shkruan agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press.
Temperaturat të enjten në Shqipërinë qendrore arritën në 40°C (104°F) dhe meteorologët paralajmëruan se do të ketë reshje të pakta deri në shtator. Lumenjtë janë pothuajse të tharë për shkak të mungesës së reshjeve gjatë dimrit dhe pranverës.
Temperaturat e larta kanë shtyrë autoritetet shqiptare ta ndihmojnë bujqësinë lokale me rrjete ujitjeje. Një projekt për të marrë ujë nga lumi Mat në veri për të ndihmuar në ujitjen e rreth 4,000 hektarëve (9,885 akra) tokë bujqësore në zonë përfundoi të martën.
Po ashtu ka pasur ndikim negativ në prodhimin e energjisë në Shqipëri, e cila kryesisht vjen nga hidrocentralet në veri të vendit. Korporata kombëtare e energjisë shpenzoi deri në 60 milionë euro (70 milionë dollarë) për të importuar energji në gjysmën e parë të këtij viti.
Instituti shtetëror meteorologjik i Serbisë ka paralajmëruar se “thatësira ekstreme” po ndikon në kulturat bujqësore të vendit, ndërkohë që nivelet e ujit në lumenj dhe liqene kanë rënë.
Qytetet e vogla dhe fshatrat në të gjithë Serbinë po përballen gjithashtu me kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm.
Në Kosovë, mungesa e ujit mbylli një pishinë në ambient të hapur në kryeqytet, Prishtinë, e cila përdorej nga njerëzit për t’u freskuar gjatë vapës së verës.
Pishina e Gërmisë në periferi të qytetit u ndërtua në fund të viteve 1980 si një destinacion rekreativ dhe konsiderohet si një ndër më të mëdhatë në kontinent. Në këtë kohë të vitit të kaluar, pishina priste nga 4,000 deri në 5,000 vizitorë në ditë.







