Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se të martën, 1 korrik, do të vendosen gurthemelet e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur për agjendën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Aty u bë e ditur se në orën 17:00 do të vendoset gurthemeli i urës për kalimin e veturave mbi Ibër, ndërsa pak më vonë do të vendoset gurthemeli për urën për kalimin e këmbësorëve.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherësh Kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, marrin pjesë sot në vendosjen e gurthemeleve të dy urave të reja mbi lumin i Ibër në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut”, thuhet në njoftim.
Vetëm një ditë më parë, Bashkimi Evropian u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës “që të përmbahen nga ndonjë veprim i njëanshëm, përfshirë edhe ndërtimin e urave bashkangjitëse”.






