Sindikata e Policisë së Kosovës i është drejtuar zyrtarisht Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, duke kërkuar mbikëqyrje të respektimit të të drejtave të pesë zyrtarëve.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar përfshirjen aktive të Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, në monitorimin dhe vlerësimin e respektimit të të drejtave të pesë zyrtarëve policorë të ndaluar lidhur me rastin e ndodhur në Lipjan, ku një i ri humbi jetën pas një ndërhyrjeje policore.
Përmes një kërkese zyrtare, SPK thekson nevojën për garantimin e një procesi të drejtë dhe të paanshëm, duke kërkuar një vlerësim të masës së ndalimit që sipas tyre ka qenë e panevojshme dhe e paproporcionuar.
Sot, Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK), në cilësinë e përfaqësimit të interesave dhe të drejtave të zyrtarëve policorë, i është drejtuar zyrtarisht Avokatit të Popullit, z. Naim Qelaj, me kërkesë për përfshirje aktive në monitorimin dhe vlerësimin e të drejtave të pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët aktualisht ndodhen në mbajtje lidhur me rastin e ndodhur në Lipjan, ku një i ri ka humbur jetën.
Përmes kësaj kërkese zyrtare, SPK ka theksuar rëndësinë e:
Mbikëqyrjes së respektimit të të drejtave themelore të të ndaluarve;
Vlerësimit të proporcionalitetit të masës së ndalimit, ku SPK konsideron se masa e ndalimit ka qenë e panevojshme dhe se kanë ekzistuar mundësi për masa më të arsyeshme;
Parandalimit të stigmatizimit publik dhe përdorimit të gjuhës paragjykuese ndaj zyrtarëve policorë;
Garancisë për një proces të drejtë dhe të paanshëm ligjor.
Veprimet e SPK-së që nga momenti i ngjarjes
Me të ndodhur rasti, SPK ka qenë aktive dhe e pranishme pranë kolegëve të ndaluar dhe familjeve të tyre. Kryetari i Sindikatës, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar familjet e pesë zyrtarëve policorë të ndaluar, duke ju shprehur përkrahje të plotë institucionale, morale dhe juridike.
Po ashtu, është zhvilluar një takim në Stacionin Policor në Lipjan për të informuar dhe bashkëbiseduar me kolegët lidhur me zhvillimet dhe për të ofruar mbështetje konkrete.







