Në Gjykatën Themelore në Pejë u mbajt sot seanca ndaj zyrtarit policor Argjend Kastrati, i cili akuzohet për shkaktimin e një aksidenti trafiku me pasoja fatale ndaj këmbësores Zana Gjevukaj.
Ngjarja ndodhi më 1 prill 2025 në fshatin Qyshk të Pejës, kur viktima u godit nga vetura e drejtuar nga Kastrati, teksa po priste të kalonte rrugën në vijat e bardha.
Gjevukaj pësoi lëndime të rënda dhe u shtrua për trajtim intensiv në QKUK, ku pas 34 ditësh ndërroi jetë më 4 maj.
Gjatë seancës së sotme, Kastrati u shpreh i penduar para trupit gjykues dhe kërkoi falje publike për familjen e viktimës.
“Ma mirë të isha unë në vend të saj sot dhe shpreh keqardhje shumë të madhe”, tha ai në gjykatë, përcjell Insajderi.
Familja e të ndjerës nuk e ka pranuar kërkim faljen.
Që nga dita e aksidentit, i pandehuri ndodhet në arrest shtëpiak.







