Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt që u vra më 29 nëntor 2023, gjatë dëshmisë së tij të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Ai tha se mesazhi i familjes së tij është i qartë, se dënimi nuk ia kthen motrën por të jetë shembull për ata që tentojnë të bëjnë krime të tilla.
“Dënimi nuk na e kthen Liridonën, po të paktën le të jetë shembull për të gjithë ta që tentojnë të bëjnë krim të tillë. Duke marrë parasysh rrethanat kriminale të cilat i kanë bërë, dënimi të jetë kapital pasi që dënimin populli ia ka dhënë vetë”, tha Ademaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paraprakisht, avokati i Naim Murselit, Shemsedin Piraj e pyeti Ademajn se kur ishte kthyer Naimi prej pushimeve vjetore, a kishte shkuar për vizitë tek familja e Liridonës.
Dëshmitari tha se Murseli kishte shkuar dhe kishte fjetur aty deri në orët e vona, një apo dy herë.







