Ka dështuar edhe “përpjekja” e 46-të për konstituimin e Kuvendit. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pasi propozimi i përsëritur për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit s’i mori votat e nevojshme.
Përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk u lejuan të flisnin, ndërsa tentuan t’i thonin disa fjalë nga foltorja e Kuvendit, kur u ftuan për t’i propozuar emrat për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë.
Dehari kërkoi që t’u ndërpritet fjala atyre, duke kërkuar “vetëm propozimin”.
Komisioni i propozuar nga LVV-ja për votim të fshehtë i mori vetëm 43 vota.
Situata duket se nuk e ka ndryshuar as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.
Lëvizja Vetëvendosje po e hedh në votim çdo dy ditë një propozim për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili nuk po i merr votat e nevojshme.





