Një sulm i pazakontë nga një tufë bletësh në qytetin Aurillac, në Francën jug-qendrore, ka lënë të plagosur 24 persona. Sipas autoriteteve lokale tre prej tyre janë në gjendje kritike.
Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, kur kalimtarët në një zonë të frekuentuar të qytetit u sulmuan për rreth 30 minuta nga bletët.
Shërbimet e urgjencës mbërritën shpejt në vendngjarje, duke ofruar ndihmë mjekësore dhe duke vendosur një perimetër sigurie për të mbrojtur banorët dhe kalimtarët e tjerë.
Sipas prefekturës së Cantal, tre nga personat e lënduar u dërguan me urgjencë në spital, ku ndodheshin në gjendje të rëndë. Njëri prej tyre, një 78-vjeçar, pësoi arrest kardiak, por u ringjall me sukses nga ekipet mjekësore dhe më vonë gjendja e tij u stabilizua.







