Një ngjarje tragjike ndodhi në orët e para të së hënës në Lipjan, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu humbi jetën në rrethana të dyshimta pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës.
Sipas informacioneve zyrtare, Policia kishte reaguar rreth orës 00:15, pas një njoftimi se një person, i dyshuar se ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte kalimtarë dhe automjete në rrugën “Haradin Bajrami”.
Njësitet policore e kanë vënë situatën nën kontroll dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente, por përkundër përpjekjeve, mjekët kanë konstatuar se i riu kishte ndërruar jetë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Agon Borovci, zëdhënës i rajonit të Prishtinës, për Klankosova.tv.







