Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi ka protestuar te fuqitë perëndimore, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur gurë themelet për ndërtimin.
“Kanë bërë shumë gjëra dhe tani kemi parë që kanë vendosur gurë themele për dy ura, pa marrë pëlqimin e popullit serb dhe të njerëzve nga Mitrovica e Veriut, sepse kjo do të nënkuptonte eksod përfundimtar”, tha Vuçiq për televizionin Informer, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Më 1 korrik, Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, i cilin ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shqiptarë dhe në pjesën veriore të banuar me serbë.
Njëra urë parashihet të jetë për këmbësorë dhe tjera për automjete.






