Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e Shqipërisë, ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 58 vatra zjarrit, ku sipas saj, vetëm një është ende aktive.
Nga raportimet në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, tetë vatra zjarri janë raportuar në qarkun e Lezhës, të cilat janë shuar brenda pak orësh, transmeton Klankosova.tv.
Derisa, aktive ka mbetur vatra e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pishë dhe bimësi të përzier, në fshatin Markatomaj, njësia administrative Zejmen, bashkia Lezhë. Në vendngjarje kanë shkuar katër automjete zjarrfikëse me personelin përkatës dhe banorë të zonës të cilët kanë punuar dhe izoluar vatrën e zjarrit rreth orës 05:45. Në njoftim thuhet se po vijon puna për shuarjen e trungjeve brenda sipërfaqes së përshkuar nga zjarri, të cilët të ndihmuar nga era vetëndizen herë pas here.
Në qarkun e Beratit janë raportuar pesë vatra aktive, gjatë 24 orëve të fundit, të cilat janë arritur të neutralizohen. Në Gjirokastër janë shuar dy vatrat e raportuara, gjatë orëve të fundit. Edhe në qarkun e Fierit janë shuar të tetë vatrat e zjarrit të raportuara, kryesish në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.
Sipas njoftimit, në qarkun e Elbasanit u arritën të neutralizohen tri vatrat e zjarrit në sipërfaqe me bimësi në fshatin Petresh, Labinot Fushë dhe Kodër Bujaras. Në qarkun e Tiranës janë raportuar 12 vatra zjarri, në bashkitë Tiranë, Kavajë, Rogozhinë, të cilat kryesisht kanë qenë në sipërfaqe me bimësi. Të gjitha këto vatra janë neutralizuar në kohë. Një prej vatrave të zjarrit u raportua në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli”, në një dhomë në katin e katërt të godinës. Zjarri u shua brenda pak minutave, ndërsa pati vetëm dëme materiale.
Në qarkun e Durrësit u raportuan pesë vatra zjarri, të cilat gjithashtu u izoluan nga forcat në terren. Sakaq, nga dy vatra u raportuan në qarqet Shkodër e Korçë dhe tri vatra në Vlorë. Të gjitha janë neutralizuar në kohë të shpejtë.
Por si pasojë e këtyre zjarreve janë djegur rreth 32 hektarë sipërfaqe me bimësi, por edhe një sipërfaqe e konsiderueshme me lis, arra, dhe rrënjë ulliri.






