Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK, gjatë muajve të parë të vitit 2025 janë kryer 176 ndërhyrje në gjoks, prej të cilave 125 raste rezultuan me diagnozë të kancerit të gjirit.
Të dhënat i bëri të ditura drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci, për Ekonomia Online, duke theksuar edhe suksesin e zbatimit të një metode të re, “Sentinel”, e cila ka shmangur heqjen e gjirit për një numër pacientesh, shkruan Insajderi.
Kolgeci bëri të ditur se si rezultat i përdorimit të kësaj metode, 22 gra u kursyen nga mastektomia.
“Gjatë muajve të këtij viti 2025, ne kemi pasur ndërhyrje në gji në 176 raste. Prej tyre, 125 kanë rezultuar me kancer të gjirit. E veçanta e këtij viti është se kemi pasur disa pacientë që është bërë kursimi i tij, do të thotë heqjes komplet të gjirit. Kjo për arsye se kemi filluar me metodën Sentinel, që ka rezultuar diku me 22 raste që në të kaluarën do t’u duhej të bëhej heqja e plotë e gjirit. Në këtë vit, për shkak të këtij intervenimi dhe për shkak të kësaj metode, ne kemi kursyer në 22 raste të kancerit të gjirit”, tha Kolgeci.
Ai sqaroi se trendi i rasteve me kancer të gjirit ka pësuar luhatje nga muaji në muaj, por gjithsesi është vërejtur një rritje krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas Kolgecit, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e këtij kanceri janë të shumtë: përveç predispozitës gjenetike, ndikim të madh kanë mënyra e jetesës dhe ushqimi.