Policia ka njoftuar se në pikëkalimin kufitar në Bërnjak, zyrtarët policorë kufitarë, në bashkëpunim edhe me zyrtarët doganorë, kanë realizuar një kontroll të përbashkët.
Gjatë këtij kontrolli, sipas njoftimit të policisë në një automjet me targa serbe me drejtues shtetas të Serbisë i janë gjetur 11 mijë e 300 euro dhe 79 mijë dinarë serbë.
“Me datën 27.04.2025 rreth orës 12:55 në pikëkalimin kufitar në Bërnjak në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarët policorë kufitarë, në bashkëpunim edhe me zyrtarët doganorë, kanë realizuar një kontroll të përbashkët, me ç’rast gjatë kontrollit në një automjet me targa serbe me drejtues shtetas të Serbisë, janë gjetur 11.300 (njëmbëdhjetëmijë e treqind) euro në kartmonedha dhe 79.780 (shtatëdhjetë e nëntëmijë e shtatëqind e tetëdhjetë) dinarë të SRB-së në kartmonedha (rreth 678 euro sipas kursit zyrtar) të padeklaruara”, thuhet në njoftim.
Policia gjithashtu ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar në procedurë të mëtejme për kundërvajtje doganore nga ana e Doganës së Kosovës.