Pas shkrimeve të fundit të publikuara në disa portale, ku emri i saj është përmendur në mënyrë tendencioze dhe aspak të vërtetë, ka reaguar me indinjatë të thellë Ardiana Rama. Ajo e ka cilësuar lajmin si një sajesë skandaloze, të fabrikuar me qëllim për ta dëmtuar imazhin e saj personal.
Jam tej mase e rënduar dhe e prekur nga një titull skandaloz që disa portale kanë vendosur në një lajm, rreth një rasti që është krejtësisht i sajuar dhe tendencioz. Kush më quan mua kërcënuese? Nuk jam unë që mund të quhem kështu! Është një padrejtësi që më është bërë,” — është shprehur Rama, e cila thekson se ndaj saj nuk ka pasur asnjë denoncim dhe asnjë dëshmi.
Ajo shton se nëse situata do të kishte qenë ndryshe, institucionet do ta kishin kontaktuar qysh në fillim, gjë që nuk ka ndodhur. Sipas saj, gjithçka është një lojë e ulët, e sajuar nga dikush që sipas saj ka probleme mendore dhe qëllimisht ka dashur ta tallë dhe dëmtojë.
“Nuk kam qenë as në koncerte, siç pretendohet. Unë nuk dal në mbrëmje, rri vetëm në park dhe në orën 10:00 fle, sepse kam probleme me shëndetin, më mungon sheqeri, nuk më mbajnë as këmbët e as duart,” ka deklaruar ajo, duke theksuar se e gjithë historia është e pavërtetë dhe thellësisht e padrejtë.
Në fund të reagimit të saj, Ardiana Rama është shprehur e vendosur të përballojë çdo shpifje dhe fushatë denigruese:
“I drejti zhytet, por nuk mbytet!”