Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës, përmes një komunikate ka sqaruar situatën e mosardhjes së ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, në varrimin e babait të tij Haxhi Thaçit.
Kjo komunikatë vjen pas interesimit të madh rreth kësaj çështje.
DHSK-ja sqaron se korniza ligjore i lejon të paraburgosurit të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye detyruese humanitare.
“Gjyqtarët e miratuan këtë rregull bazuar në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e të burgosurve”, thuhet në komunikatën e dërguar mediave.
Zëdhënës Michael Doyle, tha se është shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e të qenit me familjen në situata si kjo.
“Deri më tani, trembëdhjetë vizita të tilla nga të paraburgosurit në Kosovë janë urdhëruar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara dhe janë menaxhuar nga gjykata, për shembull që një i paraburgosur të vizitojë një të afërm të sëmurë ose të bëjë nderime dhe të kalojë kohë me anëtarët e ngushtë të familjes pas vdekjes së një të afërmi”, theksoi ai.
“Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjyqtarët që merren me çështjen vlerësojnë të gjitha rrethanat në kohën kur kërkesa është bërë me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata si kjo. Ata vendosin bazuar në kornizën ligjore të KSC dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, shtoi Doyle.