Ka reaguar për herë të parë mbi akuzat e SPAK bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Ajola Xoxa,.
Ajo përmes një reagimi të gjatë në “Facebook”, ka thënë se shifrat për blerjet mbi 800 mijë euroshe i mori vesh nga mediat.
“Vonesa e këtij sqarimi të detajuar, lidhet me faktin se unë fustanët dhe bizhutë 800 mijë euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju. Nga mediat”, shkroi Xoxa.
Bashkëshortja e Veliajt ka mohuar të ketë bërë blerje mbi 800 mijë euro për fustane e bizhuteri, duke e cilësuar si deklaratën më skandaloze ndaj saj.
Reagimi i plotë, pa ndërhyrje:
Të gjithëve ju që më lexoni, ju kërkoj të parafytyroni vetëm faktin që unë jam e hetuar, por jo e pandehur, pavarësisht se e dënuar dhe e ekzekutuar pa gjyq në gjyqin e politikës, medias dhe rrjeteve sociale.
Vonesa e këtij sqarimi të detajuar, lidhet me faktin se unë fustanët dhe bizhutë 800 mijë euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju. Nga mediat. Ndërsa akt-akuzën qindrafaqëshe e kam marrë vetëm pasi jam akuzuar për këtë shifër tromaksëse dhe për një sërë çudirash të tjera, një ditë përpara se të shkoja në sallën e gjyqit.
E marrë peng me dhunë në këtë valle shpatash e thikash mediatike dhe e konfirmuar si peng nga një trupë paragjykuesish, kam qenë e detyruar ta nis me vonesë punën për evidentimin e shifrave reale të financave që kanë të bëjnë me mua në atë akt-akuzë të mbushur me të pavërteta.
Tani jam gati që nga sot dhe në ditët në vijim, të sqaroj me detaje të imta, narrative dhe financiare, dhe me përgjegjësi të plotë publike apo ligjore, të gjithë këtë bllof të dhunshëm, të cilin do ta përball deri në Gjykatën e Strasburgut me pafajësinë time të plotë.
E para pjesë e të pavërtetës së madhe, që dua ta çmontoj dhe ta flak nga vetja si një thes, që ma kanë hedhur në kokë për të më shëtitur nëpër rrugë, duke nxitur linçimin tim me pështyma dhe gurë, është natyrisht ajo më skandalozja: 800 mijë euro online fustanë dhe bizhu.