Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka marrë pjesë në eventin madhështor “Topi i Artë” i organizuar nga FSHF-ja.
Ai përgëzoi Armand Dukën dhe ekipin e tij për përzgjedhjen e më të mirëve të vitit në futbollin shqiptar, duke theksuar se ky vlerësim duhet të shërbejë si motivim dhe frymëzim për të rinjtë.
Gjithashtu shprehu kënaqësinë që e takoi edhe këngëtaren shqiptare Ana Oxa, duke vlerësuar krenarinë e saj për origjinën shqiptare dhe duke e përmendur si një shembull të dashurisë për atdheun që duhet të ndiqet nga të gjithë.
“Urime më të mira FSHF-së për organizimin e eventit madhështor “Topi i Artë”!
Përgëzime mikut tim, Armand Duka, dhe ekipit të tij për punën e shkëlqyer në përzgjedhjen e më të mirëve të vitit në futbollin shqiptar.
Gjithashtu, përgëzime të sinqerta për futbollistët dhe futbollistet e përzgjedhur! Uroj që ky vlerësim t’ju shërbejë si motiv shtesë për të punuar më shumë dhe si shembull frymëzues për të rinjtë dhe të rejat që ëndërrojnë të ecin në këtë rrugë.
Kisha gjithashtu kënaqësinë të takoja këngëtaren e madhe shqiptare, Ana Oxa, e cila gjithmonë ruan krenarinë për origjinën e saj shqiptare. Patriotizmi dhe dashuria e saj për atdheun duhet të jenë një shembull frymëzues jo vetëm për artistët, por edhe për sportistët tanë”, shkroi në postim.