Policia e Kosovës, në mëngjesin e së mërkurës, ka hyrë në postën e Serbisë dhe Komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.
Para ndërtesës së postës së Serbisë është vendosur një shirit i verdhë dhe gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se aktualisht zyrtarë të policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve.
Aktualisht, punonjësit e të dyja institucioneve janë duke u larguar nga objektet.
Degë të tjera të kësaj poste ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar – në një lëvizje të kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, që në atë kohë ishin shprehur “thellësisht të zhgënjyer” dhe e kishin quajtur aksionin të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Edhe shumë institucione të tjera serbe janë mbyllur gjatë aksioneve të ndërmarra nga Policia e Kosovës vitin e kaluar. Aksione të tilla vazhduan edhe këtë vit.
Por, Radio Evropa e Lirë ka raportuar gjatë kësaj jave për mënyrat se si puna e këtyre institucioneve paralele serbe po vazhdon, edhe pas mbylljes së tyre.