Portali kishte konfirmuar se ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për shkak të cenimit të të drejtave në marrëdhënie të punës nga neni 218, lidhur me nenin 31 të Kodit penal 06/L-074 te Republikës së Kosovës.
Qendra Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), ishte njohur lidhur me inicimin e procedurës penale për drejtorin e Klinikës së Kardiologjisë dhe një shefit njësisë të po kësaj klinike.
Reagimi i plotë:
Dorëheqja. Ju njoftoj se pas periudhës, pak më të gjatë se 3 vjet, të drejtimit të Klinikës së Kardiologjisë dorëhiqem nga posti i drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë!
Arsyeja e dorëheqjes. Unë kam qëndruar dhe rezistuar ndaj të gjitha përpjekjeve (jo të pakta), organizimeve, mendësive, protestave, peticioneve, të motivuara dhe të incentivuara nga arsye të ndryshme, e që në fund do të përfundonin në pengim serioz të avansimit të Klinikës së Kardiologjisë.
Këtë qëndrim stoik e ndieja si obligim dhe si borxh ndaj gjeneratave të cilat kanë sakrifikuar gjithçka për ne si dhe ndaj gjeneratave të ardhshme!
Tani kur Klinika e Kardiologjisë “lundron” në ujëra më të qeta, do të tërhiqem nga posti i Drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, në vetë përfundimin e mandatit me qëllim të përkushtimit më të lartë në punë profesionale.
Dorëheqja shpresoj të ndikoj në vetëdijësimin e shoqërisë për funksionalizim të mëtejmë.
Gjatë kësaj kohe u ndesha me shumë veprime institucionale dhe joinstitucionale të cilat duhen ndërruar si: jofunksionalitet i duhur (ligjor etj..), neglizhencë, manipulime, kapje, interpretime të shtrembëruara etj..
Po ashtu, disa herë nuk ka qenë në nivelin e duhur edhe mbështetja dhe koordinimi i veprimeve nga strukturat hierarkike, me përjashtime.
Arritjet. Me punë të kujdesshme e me angazhim të lartë, Klinika e Kardiologjisë në këtë periudhë, ka pasur jashtëzakonisht shumë suksese. Disa prej tyre as nuk e kisha menduar se mund të arriheshin deri në këtë nivel, në këto rrethana.
Qëllimi, përbetimi dhe përpjekja ime ka qenë zhvillimi i Klinikës së Kardiologjisë dhe fillimi i formimit të mendësisë tjetër afatgjate, progressive dhe zhvillimore.
Menaxhmenti i Klinikës, unanimisht që në fillim vendosëm si objektiv primar të çojmë para në kuptimin pozitiv të çdo gjëje të mundshme lidhur me përkujdesjen ndaj të sëmuarit në Klinikë. Për të arritur këte u përcaktuam për metodat e dëshmuara: pozitivitetin, tolerancën, respektin dhe disiplinën në punë. U përcaktuam poashtu për gjithëpërfshirje, shumëpërfshirje dhe mirëpërfshirje e të gjithë të punësuarve.
Duke vendosur të sëmuarin në qendër të vëmendjes, me angazhim të vazhdueshëm, durim dhe qëndrueshmëri arritëm rezultate të larta – suksese.
Disa nga këto janë listuar më poshtë:
Bashkimi i Klinikës. Klinika e Kardiologjisë ishte e ndarë (praktikë e panjohur në shëndetësitë e përparuara). Kjo ndarje ishte bërë pengesë e madhe në punë. Ndarja pengonte shumë vendimet e duhura që duheshin ndërmarrë për të sëmuarin, poashtu pamundësonte punën e kardiologëve të interesuar për punë në kardiologjinë invazive dhe pengonte edukimin dhe përditësimin e drejtë të kuadrove specializantë dhe specialistë.
Ndodhte që një kardiolog të indikonte hulumtim invaziv dhe tjetri i klinikës tjetër ta anulonte dhe të vendoste diçka tjetër duke krijuar konfundim te i sëmuri dhe duke mos ditur se kush ka të drejtë (komunikim i shkëputur për shkak të organizimit joadekuat).
Menaxhmenti i Klinikës punoi në organizimin e ri të klinikës (ribashkimin) e përcjellur me ndërrim të Statutit.
Gjysëmintensiva e Kardiologjisë repart i themeluar për herë të parë. Pas analizimit të gjendjes, e në të mirë të sëmuarëve përpilohet Rregullorja për Organizim të Brendshëm të Klinikës. Me të cilën parashihet të hapet për herë të parë në Klinikën e Kardiologjisë Reparti i Gjysëmintensivës së Kardiologjisë.