Mbi 1 mijë operacione janë kryer për nëntë muaj në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Sejdi Statovci.
Ai ka thënë se aktualisht punojnë me vetëm dy salla operative, por që sfidë si çdo klinikë në QKUK e kanë me mungesë të anesteziologëve.
“Në raportin e nëntëmujorit janë saktësisht mbi 1 mijë operacione, sepse akoma nuk kishte përfunduar muaji kur i kemi nxjerrë këtë raport, por janë 980 operacione sipas kësaj statistike por që deri në fund të shtatorit janë më shumë se 1 mijë”, ka thënë Statovci.
Ndonëse funksionojnë me vetëm dy salla të operacioneve, Statovci ka thënë se në gatishmëri i kanë edhe dy të tilla, por që mungesa e anesteziologëve ka pamundësuar funksionimin e tyre.
“Sa i përket kirurgëve të fëmijëve, jemi mirë, jemi të konsoliduar dhe kemi pesë specializantë. Sfida me të cilën po përballemi ne është ajo që përballen të gjitha klinikat e QKUK-së, mungesa e anesteziologëve”.