Një shtetas i Kosovës, me inicialet M.I. është arrestuar më 12 tetor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, në Hogosht.
Sipas gazetës serbe “Danas”, “M.I. është i dyshuar për krime lufte”, raporton Klankosova.tv.
Kjo gazetë, ka cituar edhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, i cili është edhe ministër i punëve të brendshme, duke thënë se “ata janë rrëmbyer me forcë, janë dërguar në një burg të improvizuar ku kanë vazhduar t’i keqtrajtojnë fizikisht dhe psiqikisht”.
Shtetasit të Kosovës M.I, organet policore i kanë shqiptuar masën e arrestit prej 48 orëve, ndërsa thuhet që pas kësaj periudhe ai do t’i dorëzohet Prokurorisë së Lartë për Krime të Luftës së Beogradit për procedura të mëtejme.
Për këtë çështje, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ku edhe e ka konfirmuar arrestimin e kosovarit.
“Lidhur me këto raste Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka reaguar menjëherë duke i dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për të konfirmuar vërtetësinë e rastit të arrestimit dhe për të siguruar informacionet relevante, përfshirë identitetin e plotë të personit të arrestuar, rrethanat e arrestit dhe lokacionin aktual ku ai po mbahet”, tha Ministria e Jashtme.
Sipas MPJD-së, lidhur me rastin janë njoftuar misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, si dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi
“Për këtë çështje janë njoftuar edhe misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, si dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi. Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Kosovë dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian”.
Kjo ministri ka bërë të ditur se po merret me rastin, dhe do të informojë qytetarët për çdo të re.
Ndërkaq, për arrestimin e kosovarit në Serbi, nuk kanë reaguar krerët e shtetit.