Izraeli kreu sulmin brenda Iranit, tha një zyrtar amerikan për CNN, në një veprim që kërcënon ta shtyjë rajonin më thellë në konflikt. Ushtria izraelite tha se nuk kishte “asnjë koment për momentin” kur u pyet nga CNN në lidhje me raportet për shpërthime në Iran.
Raketat izraelite goditën një vend në Iran, raportoi ABC News të enjten vonë, duke cituar një zyrtar amerikan, ndërsa agjencia iraniane e lajmeve Fars, duke raportuar për shpërthimin, tha se një sistem i mbrojtjes ajrore në qytetin e Isfahanit ishte aktivizuar.
Mediat shtetërore iraniane po raportojnë se të gjitha objektet në zonë janë të sigurta, përfshirë objektet e rëndësishme bërthamore.
Tre shpërthime u dëgjuan herët të premten pranë bazës ushtarake ku ndodhen avionët luftarakë në provincën Isfahan, njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve FARS e Iranit.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se një shpërthim mund të dëgjohej pranë aeroportit në qytetin iranian të Isfahanit, por shkaku i sulmit nuk dihet menjëherë.
“Shkaku i këtyre shpërthimeve nuk dihet ende, hetimet do të vazhdojnë derisa të përcaktohen detajet e sakta të incidentit”, njoftoi agjencia Fars.
Sistemi i mbrojtjes ajrore në qytetin iranian të Isfahanit u aktivizua kundër “një objekti që dyshohet se ishte një dron”, tha një burim për agjencinë, duke shtuar se tre shpërthime u dëgjuan pranë një baze ushtarake në veriperëndim të qytetit.
CNN raportoi se disa fluturime në hapësirën ajrore iraniane u devijuan.
Gjatë fundjavës, Irani lëshoi qindra dronë dhe raketa në përgjigje të një sulmi të supozuar izraelit ndaj ambasadës së tij në Siri. Shumica e dronëve dhe raketave u rrëzuan përpara se të arrinin në territorin izraelit.
Të enjten, Irani deklaroi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Izraeli duhet të detyrohet të ndalojë të gjitha sulmet ushtarake ndaj interesave të tij, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së paralajmëroi se Lindja e Mesme është në momentin e “rrezikut më të madh”. /koha