Pas të shtënave tragjike në një shkollë në qytetin Graz, autoritetet austriake kanë njoftuar masa të reja për forcimin e shërbimeve të shëndetit mendor në sistemin arsimor.
Sipas mediave lokale, Ministri i Arsimit, Christoph Wiederkehr (NEOS), ka bërë të ditur se numri i psikologëve shkollorë do të dyfishohet – nga 190 sa janë aktualisht, në 390 deri në fund të vitit 2027.
Po ashtu, do të dyfishohet financimi për punëtoritë e shëndetit mendor në shkolla, duke arritur në 4 milionë euro në vit.
Ndërhyrjet do të zbatohen në disa faza. Nga viti 2026, do të angazhohen punëtorë të rinj për mbështetje psikosociale nëpër shkolla. Gjithashtu, do të zgjerohet trajnimi për të rinjtë, si dhe do të forcohet ndihma për nxënësit që përballen me rrezikun e braktisjes së shkollës.
Këto masa vijnë si përgjigje ndaj rritjes së shqetësimeve për mirëqenien psikologjike të të rinjve në sistemin arsimor, sidomos pas incidentit të fundit që tronditi vendin.







