Kur ora zhvendoset, trupi e ndien i pari: prishen gjumi, hormonet dhe ekuilibri i organizmit
Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se ndryshimi i orës dy herë në vit, në pranverë dhe në vjeshtë, ka ndikim të dukshëm negativ në organizmin e njeriut, pasi trupi duhet të përshtatet me ndryshime që çrregullojnë ritmin cirkadian (ritmin biologjik ditor).
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sistemi ynë biologjik funksionon sipas një ore të brendshme që ndikon në ciklin e gjumit, temperaturën e trupit, presionin e gjakut dhe prodhimin hormonal. Ndryshimi i papritur i orës, edhe pse vetëm për 60 minuta, “shkakton një stres biologjik të ngjashëm me udhëtimet ndërkontinentale (jet lag)”, raporton World Health Organization (WHO).
Çrregullimi i ritmit biologjik ndikon në tru dhe hormone
Kur ora zhvendoset përpara ose prapa, truri përjeton desinkronizim midis orës së brendshme dhe orës sociale. Kjo çon në:
- vështirësi në gjumë,
- ulur përqendrimin,
- rritje të lodhjes,
- dhe ndryshime hormonale që ndikojnë në kortizol dhe serotonin – hormone që rregullojnë stresin dhe disponimin.
“Sistemi ynë hormonal është shumë i ndjeshëm ndaj dritës dhe errësirës. Kur orari ndryshon papritur, prodhimi i melatoninës vonohet, çka ndikon në cilësinë e gjumit dhe në stabilitetin emocional,” shpjegon neuroendokrinologia Dr. Phyllis Zee nga Northwestern University Feinberg School of Medicine (raporton CNN Health).
Studimet kanë treguar se personat që flenë më vonë dhe zgjohen më vonë, e përjetojnë më rëndë këtë kalim sesa ata që zgjohen herët në mëngjes, përcjell Telegrafi.








