Policia në Ferizaj është duke hetuar një rast zhdukjeje të një të miture, e cila nuk është kthyer në shtëpi që nga pasditja e së dielës.
Burime të Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se më 16 qershor 2025, rreth orës 22:30, është paraqitur në polici qytetari T. Q., i cili ka deklaruar se ka nën kujdestari mbesën e tij, për shkak të ndarjes së prindërve të saj.
Sipas tij, e mitura F. T. e moshës rreth 13 vjeç, është larguar nga shtëpia të dielën më 15 qershor, rreth orës 14:30 dhe që nga ajo kohë nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e saj.
Ankuesi ka deklaruar se vajza nuk ka pasur probleme shëndetësore dhe se kjo është hera e dytë që largohet nga shtëpia, ndërsa nuk ka mundur të japë më shumë detaje rreth saj.
Policia ka ndërmarrë menjëherë veprime operative duke kontrolluar zonën përreth dhe qytetin, por pa rezultat. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit për të Mitur, rasti është iniciuar si “Person i zhdukur” dhe i është referuar Njësisë së Hetimeve për procedura të mëtejshme.
Apelohet tek qytetarët që nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e të miturës, të kontaktojnë Policinë e Kosovës.