Policia islame në shtetin e Kanos në veri të Nigerisë ka arrestuar myslimanë që janë parë duke ngrënë dhe pirë publikisht, si dhe ata që shesin ushqim në fillim të Ramazanit, kur myslimanët duhet të agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit.
Zëvendëskomandanti i Hisbah, Mujahid Aminudeen, i tha BBC-së se 20 persona ishin arrestuar për mosagjërim dhe pesë për shitje ushqimi, dhe se operacionet do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit, i cili filloi të shtunën, transmeton klankosova.tv.
“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se ne nuk merremi me jobesimtarët”, citohet të ketë deklaruar ai.
Aminudeen theksoi se çdo “mosrespektim” ndaj Ramazanit nuk do të tolerohet.
Ai tutje tha se është “shkatërruese” që gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, disa myslimanë të rritur po hanë dhe pinë në publik.
Vitin e kaluar, ata që u arrestuan për mosagjërim u liruan pasi premtuan se do të respektonin agjërimin, ndërsa këtë vit ata nuk patën të njëjtin fat dhe do të përballen me gjykatën.
Sharia, ligji islamik, u fut në 12 shtetet e veriut të Nigerisë që kanë një popullsi shumicë muslimane, ndërkohë që nuk aplikohet për pakicat kristiane që jetojnë aty.