Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke hartuar një plan që mund të përfshijë lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur dëshirën për të rivendosur lidhjet me Moskën dhe për të kontribuar në ndalimin e luftës në Ukrainë.
Sipas burimeve të afërta me këtë çështje, të cilat kanë folur për “Reuters”, një zyrtar amerikan dhe një person tjetër me njohuri të detajuara kanë pohuar se Shtëpia e Bardhë ka kërkuar që Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit po përgatisin një listë të mundshme sanksionesh që mund të lehtësohen. Kjo listë do të diskutohet me përfaqësuesit rusë si pjesë e bisedimeve më të gjera për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike mes dy shteteve.
Burimet gjithashtu bëjnë të ditur se po hartohet një propozim për heqjen e sanksioneve ndaj disa individëve dhe entiteteve të caktuara, duke përfshirë disa oligarkë rusë. Ky proces është një pjesë e zakonshme e punës për hartimin e “letrave opsionale” që zakonisht përgatiten nga zyrtarë që merren me çështje të sanksioneve, por kërkesa e Shtëpisë së Bardhë për një të tillë ka theksuar gatishmërinë e administratës Trump për të rishikuar politikat e sanksioneve si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme me Moskën, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, nuk ka qenë e qartë çfarë mund të kërkojë Uashingtoni në këmbim të mundësisë për të lehtësuar sanksionet. Rusia, një nga prodhueset më të mëdha të naftës në botë, mund të përfitojë ndjeshëm nga heqja e disa sanksioneve, veçanërisht nëse ato ndikojnë në sektorin e energjisë, duke mundësuar kështu uljen e çmimeve të karburanteve, veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të ushtrojnë presion mbi eksportet e naftës nga Irani, një tjetër prodhues i rëndësishëm.
Deri tani, Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Departamenti i Thesarit dhe ambasada ruse në Uashington nuk kanë komentuar këtë çështje.