Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se procesi i Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF) pritet të nisë së ofruari si shërbim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në dhjetor.
Procesi i IVF deri tani është kryer vetëm në spitalet private.
Vitia theksoi se ofrimi i shërbimit të IVF-it do të nisë në kuadër të Udhëzimit Administrativ të ish-ministrit Ferid Agani, deri atëherë kur do të arrijë të aprovohet ligji i ri.
“Sa u përket IVF-së, e kemi një Udhëzim Administrativ në fuqi i bërë nga ish-ministri Agani i cili nuk e rregullon në asnjë mënyrë këtë çështje. Sepse me këtë Udhëzim Administrativ nuk mund të kesh sanksione dhe ne jemi dëshmitar se edhe në vitet paraprake ka pas një aksion nga Inspektorati Shëndetësor në lidhje me këtë procedurë, ku baza ligjore e munguar ka bërë që të mos merret asnjë edhe një masë”, tha ai.
Ministri Vitia foli edhe për atë se kur do të nisë së funksionalizuari si shërbim në QKUK.
“Do të fillojë gjatë këtij viti, d.m.th fillimi i dhjetorit, dy javët e para të dhjetorit. Kanë ardhur të gjitha aparaturat. Përveç pjesë së aparaturave dhe procedurave aty nevojitet edhe barna të caktuara, hormon-stimuluese që në bashkëpunim me komunitetin kyç për listën e barnave esenciale janë futur në listën e barnave esenciale”, tha ai.