Një monedhë jashtëzakonisht e rrallë, vendndodhja e së cilës kishte mbetur mister që nga fundi i vitit 1970, është shitur për rreth 500.000 dollarë.
Monedha shumë e rrallë ka fytyrën e ish-presidentit amerikan, Franklin Roosevelt dhe është një nga dy të vetmet që ekzistojnë të këtij modeli, ka shkruar AP.
Tri motra në Ohio të SHBA-së e trashëguan monedhën pas vdekjes së vëllait të tyre, i cili e kishte mbajtur atë në një kasafortë bankare për rreth 40 vjet. Monedha u shit në një ankand të dielën në Kaliforni. Një monedhë e tillë ishte shitur në 2019-n, për 456.000 dollarë nga një koleksionues.
Motrat që deshën të mbeteshin anonime thanë se e trashëguan familjarisht këtë monedhë.