Teksa duket se mëmësia po merr gjithë angazhimin e Kiara Titos këto kohë, moderatorja paska një tjetër plan për aspektin profesional.
Sipas mediave dhe një postimi të gazetarit Bledi Mane në Instagram, thuhet se Kiara do të rikthehet në shtator në ekranin e Top Channel ku do të prezantojë emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”, një format që u vjen në ndihmë njerëzve dhe familjeve në nevojë.
Përmes postimit, gazetari Mane thotë që sezoni i ri në Top Channel do të sjellë plot surpriza dhe mes tyre edhe formatin “Shqiptarët për shqiptarët” që do të shfaqet çdo të premte, e që pritet të ndryshojë për mirë jetën e shumë njerëzve në nevojë përmes donacioneve dhe thirrjes për ndihmë.
Rikthimi i Kiarës në ekran vjen pak muaj pasi ajo u bë nënë për herë të parë e Lunës, vajzës që ka me Luiz Ejllin, ndërsa në televizion ajo është shfaqur për herë të fundit në moderimin e formatit “Fan Club” të “Dancing with the stars”.
Deri tani, as Kiara dhe as Elvisi nuk kanë reaguar publikisht pas këtyre lajmeve, por thonë se aty ku ka zëra, me siguri diçka e re po “zihet”.