Tanya Domi, profesoreshë e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin Columbia në Nju Jork, thotë se SHBA-së i duhet një qasje e re diplomatike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të përfshinte sanksionet për aktorët jokonstruktivë.
Domi u pyet nga Radio Evropa e Lirë se “çfarë do të nënkuptonte një mandat i dytë i Trumpit për Kosovën”.
“Po, mendoj se ka pasur një favorizim të hapur ndaj serbëve. Jared Kushner [dhëndri i Trumpit] ka bërë një marrëveshje me Qeverinë serbe për një pasuri të paluajtshme. Richard Grenell, i cili mund të bëhet sekretar i Shtetit nëse Trump zgjidhet sërish president, është vizitor i shpeshtë i Serbisë.Kështu që e kuptoj pse [në Kosovë] mund të ndihen paksa të mërzitur për këtë. Është një situatë e vështirë. Trump, për shembull, ka thënë se do ta nxirrte SHBA-në nga NATO-ja. Një gjë e tillë do të ishte goditje e drejtpërdrejtë mbi Kosovën, që ka prani të NATO-s në territorin e saj e që, me gjasë, e ndalon [presidentin e Serbisë] Aleksandar Vuçiq të kalojë kufirin”, u përgjigj ajo.