William Oliver Stone, një nga regjisorët më të mëdhenj të kinematografisë botërore, fitues i çmimeve Oscar, vjen për herë të parë në Shqipëri.
Shoqëruar nga miq dhe bashkëpunëtorë, Stone ka qendruar pak ditë në vendin tonë, ku ka vizituar peizazhet dhe plazhet e Shqipërisë së jugut. Prania e Stone përbën një mundësi të madhe promovuese për Shqipërinë, si në nivel turistik dhe kulturor, ashtu edhe në drejtim të tërheqjes së koproduksioneve të mëdha kinematografike.
Regjisori i famshëm Amerikan, gjatë itinerarit të tij në Shqipëri u ndal edhe në Tiranë, ku vizitoi Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.
Gjatë kësaj ndalese, Stone u prit në takim nga Zëvendës Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Znj. Lira Pipa dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Z. Eol Çashku. Pritja e një regjisori si Stone, që ka bërë historinë e kinematografisë hollivudiane dhe ndërkombëtare ishte një mundësi shumë e rëndësishme edhe për shkëmbim idesh.