Shumë banorë në Britani të Madhe janë ankuar se kopshtet dhe oborret e shtëpive të tyre po pushtohen nga një bimë e dëmshme.
Mirror ka shkruar se bima e quajtur Buddleia, është në formë kaçube dhe mund të jetë më e rrezikshme se nyja japoneze. Ekspertët e bimëve kanë thënë se fara e saj shpërndahet shpejt dhe mund të mbijë në afat rekord në shumë zona, duke përfshirë çatitë, muret dhe dritaret.
Rrënjët e tyre të forta kanë aftësinë të rriten nëpërmjet ndërtesave, duke u dhënë atyre mundësinë për të shkaktuar “dëme të kushtueshme” në shtëpi.
Për shkak të kësaj, ekspertët kanë thënë se nëse në shtëpi keni këtë bimë, çmimi i shtëpisë suaj mund të ulet.
Bima gjithashtu përbën rrezik për mjedisin pasi konkurron me bimët e tjera duke u zënë hapësirën. Ajo i dëmton edhe lulet e shtëpisë.
Banorëve u është bërë thirrje që t’i krasitin këto shkurre sa më parë dhe të mos lejojnë që ajo të shpërndahet.