Elvana Gjata, përmes një postimi në Instagram, ka bërë me dije se do të rikthehet me një super koncert në Gjermani, në “Lanxess Arena”, Këln.
Elvana do të performojë hitet e saj më 14 qershor dhe koncerti vjen një ditë para ndeshjes së shumëpritur Itali – Shqipëri në “BVB Stadion Dortmund”, e cila do të zhvillohet në orën 21:00.
“Vitin e kaluar, DEKADA në “Air Albania Stadium”, shënoi një nga momentet më të rëndësishme të karrierës sime. I mbaj në shpirt kujtimet, dashurinë dhe emocionet e asaj mbrëmjeje, në atë stadium plot e përplot. Akoma i dëgjoj koret e zërat tuaj të asaj nate…Më keni dhënë shumë dashuri, shumë forcë e shumë ëndrra të reja”, shkroi këngëtarja në Instagram.
Më tej, Elvana vijoi:
“DEKADA KUQEZI është një ëndërr që ka filluar me shpresën dhe dëshirën që kombëtarja jonë të kualifikohej në EURO24. E ja ku jemi…Vetëm një muaj para EURO24. Në datën 14.06 ju ftoj të mblidhemi siç na ka hije, të festojmë, të këndojmë e të ëndërrojmë bashkë si KUQEZI. Nga Gjermania, Zvicra, Italia, Belgjika, Holanda e çdo cepi të Europës e botës. Bashkë si SHQIPTARË”.