Përkundër përpjekjeve të presidentit Vladimir Putin dhe mediave të kontrolluara nga Rusia që fajin për sulmin e së premtes t’ia lënë Ukrainës, janë publikuar edhe më shumë detaje për grupin xhihadist IS-K që ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e 137 personave në një sallë koncertesh në Moskë, raporton BBC
Kush apo çfarë është IS-K?
IS-K është shkurtesë për “Islamic State-Khorasan” – grup rajonal i ISIS-it, organizatë terroriste.
Grupi është i përqendruar në Afganistan, Iran, Pakistan dhe në Azinë Qendrore, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Grupi ka marrë emrin Khorasan për shkak të pjesës historike të Kalifatit Islamik që shtrihej në këtë rajon.
IS-K operon në nëntë vjetët e fundit, mirëpo në muajt e fundit është cilësuar si grupi më i rrezikshëm i ISIS-it.
IS-K synon të zgjerojë kalifatin islamik me interpretim të ashpër të Sheriatit.
Në Afganistan ka kryer sulme sporadike, por kanë qenë vdekjeprurëse kundër Talebanëve që kundërshtojnë ideologjinë e grupit.
Kush ishin sulmuesit në Moskë?
Sipas mediave shtetërore të Rusisë, katër personat e arrestuar dhe të akuzuar për sulmin, janë nga Taxhikistani, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Ishte e dukshme se ata janë keqtrajtuar për shkak të mavijosjeve dhe të nxirave nëpër fytyrë gjatë paraqitjes në gjykatë të hënën.
Përse Rusia ishte caku?
Ka disa arsye.
IS-K e sheh pothuajse krejt botën si armik. Rusia është shumë lart në këtë listë, së bashku me SHBA-në, Evropën, Izraeli, hebrenjtë, të krishterët, myslimanët shiit dhe talebanët.
Armiqësia e ISIS-it me Rusinë ka nisur me luftërat çeçene në vitet ’90 dhe në fillim të viteve 2000 kur forcat e Moskës shkatërruan kryeqytetin çeçen Groznyn.
Edhe në vitet e fundit, Rusia është përfshirë në luftën civile të Sirisë, duke ndihmuar presidentin Bashar al-Assad dhe forcat ajrore kanë kryer sulme ajrore duke vrarë qindra militantë të ISIS-it.
Në Afganistan, IS-K e cilëson Rusinë si aleate të talebanëve dhe për këtë arsye sulmoi ambasadën ruse në Kabul gjatë vitit 2022.