Sipas një studimi që u bë së fundmi, ecja deri në 10 mijë hapa, ulë rrezikun nga vdekja e parakohshme, ani pse pjesa tjetër e ditës mund të kalohet ulur.
Studimi që u publikua në Gazetën Britanike të Mjekësisë Sportive, ka gjetur se çdo hap që bëhet prej mbi 2200 e deri në 10 mijë hapa në ditë, ulë rrezikun nga zhvillimi i sëmundjeve të ndryshme që mund të qojnë në vdekje të parakohshme, edhe nëse pjesën tjetër të ditës e kaloni pa ndonjë aktivitet fizik, raporton The Guardian.
Ekspertët gjetën se ulja e rrezikut nga vdekja e parakohshme u dallua tek ata persona që bënin nga 9 mijë deri në 10 mijë e 500 hapa në ditë.
Kur bëhet fjalë për sëmundjet e zemrës, ulja më e madhe e rrezikut u regjistrua tek personat që bënin 9700 hapa në ditë.
Studimi që u udhëheq nga akademikët e Universitetit të Sidneyt, analizoi të dhënat e mbi 70 mijë personave të moshës rreth 60 vjeç, që i morën nga Biobanka në Britani.
Pjesëmarrësit në studim, mbajtën një pajisje që maste lëvizjet e tyre për shtatë ditë. Ata u përcollën për shtatë vjet.
Studimi kolaudoi se 9000 deri në 10500 hapa në ditë ulën rrezikun nga vdekja e parakohshme për 39 për qind dhe rrezikun nga sëmundjet e zemrës për 20 për qind.
Ndërkohë që vetëm gjysmën e të mirave shëndetësore e gëzuan ata që bënin deri në 4500 hapa në ditë.
“E dimë që bërja e aktiviteteve fizike çdo ditë është esenciale për mbajtjen e shëndetit të mirë. Këto studime të reja shpresëdhënëse na tregojnë që çdo hap që bëhet për të mbërritur 10 mijë hapshin në ditë, do të jetë i mirë për shëndetin duke zvogëluar rrezikun nga vdekja e parakohshme dhe sëmundjet kardiovaskulare”, ka thënë Julie Ward, infermiere në Fondacionin Britanik për Zemër.
Ajo ka inkurajuar të gjithë të lëvizin sa më shumë në mënyrë që të kenë shëndet të mirë.