Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar, pas vdekjes së një djali vetëm dy vjeç, Ethan Ives-Griffiths, më 14 gusht 2021, në Flintshire, veri të Uellsit. Vogëlushi ndërroi jetë pas një serie keqtrajtimesh të rënda që përfunduan me një dëmtim fatal në kokë.
Ekspertët mjeko-ligjorë konstatuan se Ethan ishte në gjendje të rëndë fizike: i dehidratuar, i dobët dhe me mbi 40 shenja të dukshme dhune në trup. Rasti zbuloi një histori të gjatë abuzimi dhe neglizhence në mjedisin që duhej të ishte më i sigurt për të.
Në përfundim të procesit gjyqësor, gjyshërit e tij, Michael Ives (47) dhe Kerry Ives (46), u shpallën fajtorë për vrasje dhe keqtrajtim të një fëmije nën moshën 16 vjeç. Ndërkohë, nëna e fëmijës, Shannon Ives (28), u dënua për shkaktimin e vdekjes dhe për përfshirje në keqtrajtim.






