Gjendja e fatkeqësisë natyrore përfundon sot (23 qershor) nëse nuk ka një tjetër njoftim zyrtar për zgjatjen e saj.
Ashtu siç u parashikua, si shenjë falenderimi, për mjekët, infermierët dhe të gjithë ata që përgjatë kësaj kohe kanë qenë në frontin e parë të luftës kundër Covid-19, do të mbahet një koncert.
Bashkia e Tiranës, do ta organizojë koncertin e parashikuar, duke ndjekur njëkohësisht masat e marra për parandalimin e përhapjes së virusit.
Koncerti i quajtur “Muzikë On” pritet të zgjasë 5 orë (19:00-00:00) dhe do të ndiqet vetëm live në Facebook nga publiku.
Njoftimin zyrtar e bëri përmes një postimi në Instagram edhe kryebashkiaku Veliaj.
“Një koncert ndryshe, por padyshim fantastik te Amfiteatri, dedikuar muzikës dhe të gjithë atyre që në këto ditë të vështira për Tiranën e Shqipërinë, kanë qenë çdo ditë në krye të detyrës!”
Këngëtaret do të performojnë nga Amfiteatri, ndërsa publiku do t’i ndjekë live përmes rrjeteve sociale, për të shmangur kështu çdo grumbullim që shkon kundër masave të caktuara.
Duke qenë se u frymëzua nga Dita Ndërkombëtare e Muzikës, koncerti u quajt MuzikOn dhe do të ketë banda me instrumentistë profesionistë dhe këngëtarë të njohur të muzikës popullore dhe moderne. Disa prej emrave janë; Eneda Tarifa, Fifi, Anxhela Peristeri, Çiljeta, Eli Fara, Eranda Libohova, Sidrit Bejleri, Marsela Çibukaj, etj.