Mes viteve 2019 dhe 2022, grupe punonjësish të Tesla-s shpërndanë privatisht përmes një sistemi të brendshëm të mesazheve video dhe imazhe shumë intime të regjistruara nga kamerat e makinave të klientëve, sipas intervistave nga Reuters me nëntë ish-punonjës.
Disa nga regjistrimet kapën klientët e Tesla-s në situata të sikletshme. Një ish-punonjës përshkroi një video të një burri që i afrohej automjetit krejtësisht lakuriq.
Punonjësit po ashtu shpërndanë aksidente dhe incidente në rrugë. Një video e përplasjes në vitin 2021 tregoi një Tesla duke vozitur me shpejtësi të madhe në një zonë banimi duke goditur një fëmijë në biçikletë, sipas një ish-punonjësi tjetër. Fëmija fluturoi në një drejtim, biçikleta në një tjetër. Videoja u përhap rreth një zyre të Tesla-s në San Mateo, Kaliforni, përmes bisedave private një-me-një, tregoi ish-punonjësi.
Imazhet e tjera ishin më të zakonshme, të tilla si fotografitë e qenve dhe tabelat qesharake rrugore që punonjësit i bënin meme duke i zbukuruar me tituj ose komente zbavitëse, përpara se t’i postonin në biseda private në grup. Teksa disa postime u ndanë vetëm midis dy punonjësve, të tjerët mund të shiheshin nga shumë prej tyre, sipas disa ish-punonjësve.
Tesla thekson në njoftimin e saj të privatësisë së klientit në internet se “incizimet e saj të kamerës mbeten anonime dhe nuk janë të lidhura me ju ose me automjetin tuaj”. Por shtatë ish-punonjës i thanë Reuters se programi kompjuterik që përdornin në punë mund të tregonte vendndodhjen e regjistrimeve, të cilat potencialisht mund të zbulonin se ku jetonte një pronar i Tesla-s.
Një ish-punonjës tha gjithashtu se disa regjistrime dukej se ishin bërë kur makinat ishin parkuar dhe fikur. Disa vite më parë, Tesla merrte video incizime nga automjetet e saj edhe kur ato ishin të fikur, nëse pronarët jepnin pëlqimin. Që atëherë kompania ka ndaluar së vepruari kështu, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Tesla siguron miliona pronarë të makinave elektrike se privatësia e tyre “është dhe do të jetë gjithmonë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”. Kamerat që ndërton në automjete për të ndihmuar drejtimin, thuhet në faqen e tyre të internetit, janë “të dizajnuara nga themeli për të mbrojtur privatësinë tuaj”.