Pishina e vetme publike, ajo e Gërmisë, ka dalë në ofertim për operatorët privatë.
Ndërmarrja “Sport Marketing” në Komunën e Prishtinës ka shpallur “kërkesë për ofertim për menaxhimin e pishinës dhe shërbimet hoteliere në Pishinën e Gërmisë në Prishtinë”, ani pse njëherë autoritetet komunale kanë lënë të hapur mundësinë që ajo të mos hapet fare këtë sezon.
Sipas njoftimit, shpallja e publikuar më 15 maj do të shtyhet deri më 27 maj në orën 12:00.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Petrit Reçica, ka reaguar ndaj vendimit që pishina të menaxhohet nga një kompani private.
Sipas tij, pishina e Gërmisë është e qytetarëve të Prishtinës.
“Veç te ne ndodh që një aset të ndërmarrjes me këqyr me bankrotu e mandej me ua dhënë në shfrytëzim dostave. Vitin e kaluar na patën lodhë krytë me tri trame valak të bazenit të Gërmisë, thua ti çka bënë, mandej mburreshin se si i ka pasë afër 20 mijë vizitorë. Sivjet paskan vendosë me e dhënë te një operator ekonomik dhe atë me kontratë dyvjeçare, me çfarë preteksti ende nuk kanë tregu”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se fakti që kjo thirrje është vendosur vetëm në web të ndërmarrjes, lë dyshime se pse është fshehur kjo thirrje për tenderim.