Pas muajsh heshtjeje dhe reflektimi që pasuan ndarjen nga këngëtari Shpat Kasapi, Selvije Jao ka ndarë një tjetër moment të rëndësishëm në jetën e saj: po largohet nga Tirana, aty ku kohë më parë u zhvendos për të jetuar me Shpatin dhe Roelin.
Në një video të postuar në InstaStory, me sfondin e ndërtesave të ndriçuara në qendër të kryeqytetit, ajo ka shpërthyer në një rrëfim emocional që tingëllon si një lamtumirë, por edhe si një shënim fuqie.
“Ditët e fundit në Tiranë… Më në fund po largohem, por zemra ime do të mbajë gjithmonë një copëz nga ky qytet.”
Fjalët e saj janë një përzierje emocionesh të thella dhe krenarie për rrugëtimin personal që ka përjetuar gjatë qëndrimit në Tiranë. Një rrugëtim që nuk ka qenë i lehtë për një nënë të vetme, por që i ka dhënë forcën të rritet e të rilindë.
“Në çdo cep të saj kam lënë pjesë të shpirtit tim… një grua që luftoi, qeshi, u rrëzua dhe u ngrit për veten dhe për djalin e saj.”
Selvija ka jetuar në Tiranë bashkë me të birin dhe për një kohë ishte pjesë e jetës familjare me Shpatin. Por tashmë duket se ajo po mbyll një kapitull të madh, një qytet që i dha dhimbje por edhe fuqi.
“Tirana s’do të jetë më e njëjta pa mua… dhe as unë pa të.” – mbyll ajo rrëfimin, me një ikonë trishtimi dhe një zemër të thyer që lënë vend për interpretim, mall dhe mbase edhe pak ironi të ëmbël për ndjekësit.
Por ajo që vlen të theksohet është mënyra se si Selvija ka vendosur të ecë përpara. Pak javë më parë, ajo lansoi një seri librash praktikë me titullin “Puno & Fito Online”, përmes të cilëve ndan njohuritë e saj rreth rritjes në Instagram e TikTok, si dhe platformave si dropshipping dhe print on demand.