Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar sot në mbledhjen e saj Projektligjin Kundër Dukurive Negative në Sport.
Ky projektligj i definon dukuritë negative në sport duke i përfshirë: abuzimin, ngacmimin, neglizhencën dhe diskriminimin e sportistëve.
Përveç aspektit ndërpersonal, projektligji parasheh masa konkrete për parandalimin, raportimin efikas dhe sanksionimin e dukurive negative në ngjarjet sportive, si dhe masa të posaçme kundër kurdisjeve dhe basteve ilegale në sport.
“Dukuritë negative në sport vazhdimisht janë problematikë për secilin vend, problematikë të cilën po e trajtojmë me seriozitet dhe prioritet. Projektligji ka efekt të drejtpërdrejt në adresimin e sfidave reale të shoqërisë tonë, duke krijuar mjedis të sigurt dhe të ndershëm për zhvillim të sportit si aktivitet shoqëror, edukues dhe kulturor. Falënderoj të gjithë zyrtarët publikë dhe komunitetin e sportit, të cilët kontribuan në realizimin e kësaj reforme të rëndësishme ligjore për sportin”, shkroi në rrjetet sociale zëvendës-ministrja e Sportit, Daulina Osmani.