Kryeministri i Rumanisë ka prezantuar këshilltarin e tij më të ri, një asistent robot i quajtir Ion. Sipas Nicolae Ciuca, ky është rasti i parë në botë kur inteligjenca artificiale merr një post të tillë, edhe pse honorifik.
Roboti është ndërtuar në Rumani dhe detyra kryesore e tij do të jetë skanimi i rrjeteve sociale për të informuar qeverinë “në kohë reale” për “propozimet dhe dëshirat e rumunëve”.
Sipas dokumenteve që u publikuan në ditën e prezantimit, roboti do të përdorë inteligjencën artificiale për të kapur mendimet e shoqërisë, duke përdorur të dhëna publike, në rrjete sociale. Por njerëzit do të kenë mundësi edhe të komunikojnë direkt me Ionin, përmes një faqeje interneti të ngritur për këtë qëllim.
“Jam i bindur se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk duhet të jetë një mundësi, por detyrim, për të marrë vendime bazuar në informacion më të mirë”, tha Ciuca.