Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka pritur në takim njoftues ambasadoren e Kroacisë në Republikën e Kosovës, Daniela Barishiq.
Me këtë rast, ambasadorja kroate i uroi Veliu emërimin e tij si ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
“Në këtë takim, ministri Veliu e njoftoi ambasadoren Barisic për prioritet e MPBAP në ngritjen dhe avancimin e mëtejmë të institucioneve të sigurisë në Kosovë, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, liberalizimin e vizave, avancimin e administratës së Kosovës për aplikim për statusin kandidat në BE, si dhe mundësitë e bashkëpunimit me Republikën e Kroacisë. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se Republika e Kosovës dhe Republika e Kroacisë si dy shtete mike kanë bashkëpunim të shkëlqyer dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave.
Ndërsa, ambasadorja Barishiq pohoi se Ambasada e Kroacisë do të vazhdojë ta mbështesë Ministrinë në avancimin e ndërtimit të institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe në bashkërendimin e aktiviteteve me qëllim të fuqizimit të sundimit të rendit dhe ligjit.