Shefja e njësisë se vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Fetije Fetaj, ka thënë se marrë parasysh që në Evropë javëve të fundit është përhapur sëmundja e fruthit, edhe Kosova është e rrezikuar nga kjo sëmundje.
Megjithatë, Fetaj tha se vendi është i përgatitur për t’u përballur me çdo situatë. Ajo tha se shqetësuese është mosvaksinimi i fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, e sidomos mosvaksinimi kundër sëmundjes së fruthit.
Doktoresha Fetaj tha se Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket imunizimit dhe se vaksinimi në vend është mbi 92% në kalendarin e rregullt.
“Atëherë vaksinimi në Kosovë ka një traditë të mirë me dekada, ne kemi një përqindje shumë të mirë të vaksinave edhe pse tre vitet e fundit pandemi s’kishim një rënie të mbulueshmërisë, por këtë vit është vërejt që prapë jemi në rrugë të mbarë dhe vaksinimi diku është mbi 92% në kalendarin e rregullt në Kosovë”, tha Fetaj në një intervistë për Ekonomia Online.
“Faktikisht sëmundja e fruthit është një sëmundje shumë ngjitëse dhe po jemi të rrezikuar sepse është shfaqur në të gjithë Evropën, edhe në shtetet e rajonit edhe lëvizjet e mëdha të popullatës normalisht që unë pres që kemi me pasur raste të fruthit. Domethënë për të qenë rehat Kosova dhe ne Institut Kombëtar i Shëndetësisë Publike, përqindja duhet të jetë mbi 95%, pikërisht për sëmundjen, për fruthin. Komunitetet rom, ashkali, egjiptas e kemi një përqindje më të ulët të përfshirjes, plus nuk e dimë edhe sa fëmijë faktikisht saktësisht i kemi nga këto komunitete për shkak se një pjesë e tyre nuk janë edhe të regjistruar, ose asnjëherë s’kanë qenë në qendrat e vaksinimit dhe një pjesë tjetër, plus kanë marrë disa vaksina por jo të përfunduar komplet kalendarin sipas orareve që janë të shpërndara”, deklaroi tutje ajo.