Gjykata Themelore e Ferizajt ka kërkuar që të dyshuarit kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaçës, t’i bëhet ekspertizë psikiatrike.
Nga familja e 18-vjeçares janë shprehur të shokuar me këtë veprim të gjykatës. Babai i së ndjerës, Muhabi Osmani, ka thënë se do të kërkojnë super-ekspertizë për këtë rast.
Ai ka treguar se nëse dokumentohet se Krivaçka ka probleme psikiatrike, atëherë ata si familje, përmes avokatit të tyre, Gazmend Rexhepi, do të kërkojnë ekspertizë ndërkombëtare.
![](https://infolinenews.com/wp-content/uploads/2024/05/440041838_18084124912450355_3946911477327128733_n.jpg)
“Kur kemi marrë vesh që është aprovu kërkesa e mbrojtjes së tij për ta rishikuar rastin psikologjik, ne kemi qenë të shokuar, për arsye se ai nuk është njeri i sëmurë. Nëse gjykata merr vendim në favor të tyre, ne do të kërkojmë super-ekspertizë jashtë Kosovës”- thotë tutje Osmani.
Ai thotë se kanë informacione se persona të caktuar po duan të kenë ndikim te procesi gjyqësor sa i përket kësaj çështjeje.
“Janë duke këqyrë me pasë ndikim. Kemi informacione se po këqyrin me pasë informacione në gjykatë, por e kanë të kotë, sepse pasojat do të jenë edhe për ta”.
Sa i përket këtij rasti, procedura gjyqësore është ende në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve. Në këtë rast, në cilësinë e dëshmitarëve, deri më tani janë dëgjuar prindërit e viktimës, mjeku kujdestar, i cili e kishte pranuar trupin e pajetë në emergjencën e spitalit, dhe eksperti mjekoligjor, i cili e kishte bërë autopsinë.
Dëshmitarë tjetër që është dëgjuar, është edhe punëtori i kompanisë së kamerave të sigurisë që gjendeshin në banesën e të akuzuarit Krivaça.
Rasti që e ka tronditur opinionin publik ka ndodhur më 22 gusht 2021.18-vjeçarja Marigona Osmani ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.
Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.
“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”- përshkruhet rasti në aktakuzë
![](https://infolinenews.com/wp-content/uploads/2024/05/440041838_18084124912450355_3946911477327128733_n.jpg)