Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, thotë se agjencia që ai drejton beson se Covid-19 “me shumë gjasa” ka dalë nga “një laborator i kontrolluar nga qeveria kineze”.
“Prej disa kohësh tashmë, FBI-ja ka vlerësuar se origjina e pandemisë është me shumë gjasa nga një incident i mundshëm në laborator”, tha ai për Fox News. Kjo është hera e parë që FBI-ja konfirmon publikisht mendimin e klasifikuar të agjencisë mbi prejardhjen e koronavirusit që shkaktoi miliona të vdekur në mbarë botën nga viti 2020.
Këto pretendime janë hedhur poshtë më parë nga Kina, e cila akuzat se virusi ka dalë nga laboratori i virologjisë në Wuhan i ka quajtur gjithmonë shpifje. Deklarata e shefit të FBI-së u bë një ditë pasi ambasadori amerikan në Kinë i bëri thirrje vendit të tregohet më i ndershëm rreth origjinës së Covid-19.
Disa studime kanë dalë në përfundimin se virusi ka dalë nga tregu i peshkut në Wuhan të Kinës, i njëjti qytet ku ndodhet edhe laboratori i shumëdiskutuar i virologjisë. Tregu ndodhet vetëm 40 minuta me makinë larg laboratorit, në të cilin zhvillohen kërkime rreth koronaviruseve. / a2cnn / KultPlus.com