Javët e fundit kanë treguar, se sa shpejt mund të ndryshojnë situatat nën presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Çfarë mund të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?
Tri luftërat e Jugosllavisë të viteve 1990 – në Kroaci (1991-95), Bosnjë – Hercegovinë (1992-95) dhe Kosovë (1999) – morën fund përfundimisht nën udhëheqjen e SHBA-së.
Që atëherë dy misione ushtarake të drejtuara nga BE dhe NATO garantojnë paqen në këto ish-zona lufte.
Por që prej më shumë se dy vjetësh situata në Ballkanin Perëndimor acarohet vazhdimisht.
Spiralja e dhunës filloi në dhjetor 2022.
Pasi përfaqësuesit e pakicës serbe në Republikën e Kosovës nën orientimin e kryeqytetit të Serbisë, Beogradit, u larguan nga institucionet e shtetit kosovar – gjyqësori, policia dhe administrata – presidenti serb Aleksandar Vuçiç filloi një grumbullim të trupave në kufirin verior të vendit fqinj.
Ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger akuzoi Vuçiçin se dëshironte të “luante rolin e një Putini të vogël”. “Më duket e paimagjinueshme, se si Vuçiq dhe udhëheqja serbe po nxisin telashe këtu. Fajin për këtë shkallëzim ia jap ekskluzivisht Beogradit”.
Vuçiq nga ana tjetër theksoi, se ushtria e Serbisë do të mbronte pakicën serbe në “krahinën jugore” të Serbisë – siç e quan ende udhëheqja në Beograd, Kosovën, e cila nuk ka qenë nën kontrollin serb që nga viti 1999.